Arkivi

Kthimi i shqiptarëve në veri të Mitrovicës në rritje

Te Kroi i Vitakut po ndertohet serish jeta
17 shtator 2011, Dojce Vele, Pas një stagnimi dhjetëvjecar për shkak të kundërshtimeve të serbve lokal, janë bërë hapa të dukshëm në rikthimin e shqiptarëve në veri të Mtirovicës. Vetëm në dy vitet e fundit, komuna e Mitrovicës mëbështetur nga qeveria e Kosovës, deri më tani nëpër lagjet e banuara me shqiptarë ka ndërtuar 100 shtëpi. Kroi i Vitakut është njëra ndër lagjet, në të cilën pas dhjetë vjetësh qëndrimi e boshatisur janë rikthyer dhjetëra familje.

 Një faqe kodrinore me shtëpi të reja numri i të cilave shtohet përditë, është Lagja Kroi i Vitakut në veri te te Mitrovices. Ndërsa hapësira 13 arëshe prej së cilës qyteti i Mitrovicës shihet si në shuplake, është prona e Halil Mehmetit, baba i shtatë fëmijëve, i cili mbi themelet e vjetra ka ndërtuar shtëpinë e re.

Pas dhjete vjetesh serish ne shtepi
“Me ta fal krejt botën, sikur n´shpi tone nuk je i lirë kurrkund. Send i huaj, mo. Neser vjen e t´qet ne rruge!”, thote z.Mehmeti, në shtëpinë e të cilit pas dhjetë vjetësh jete si qiragji, ogjaku tymon serish.

Një dekadë larg pronave si qiragjinj

Por, kjo ndodhi pas sfidave dhetëvjecare, thotë z.mehmeti, në të djathtë të shtëpisë së të cilit një ndërtesë kolektive serbe është ndërtua mbi themelet e shtëpise së fqinjit të tij shqiptar.

“Kena jetu me qira kah kena mujt, nëpër krejt Kosovë. Dhjetë vjet kahmos, nëpër podrume, nëpër shatorra, cka kena hjek, Allahu baftë me rahmet. Vec ktu e knena ishalla bahet mirë!”, rrëfen z.Mehmeti.


Familja Mehmeti nje dekade si qiragji
Për shkak të kundërshtimeve të kthimit të shqiptarëve në veri nga ana e serbve lokal, procesi i rindërtimit në Kroin e Vitakut që nga fillimi është përcjellur me incidente. Rindërtimi vazhdoi nën prezencen e autoriteteve të shtuara të rendit,  përderisa reaguan edhe institucione ndërkombtare. Halil Mehmeti ka provuar në lëkurë kotësinë e tentimeve dhjëtëvjecare për kthim në pronën e tij:

“Matanë Urës së Ibrit është Serbi”

“S´kena mujt me u kthy...S´na lejshin serbët. S´dojshin me na pa me sy! Na thojshin: “S´domë me iu pa ksajde hic. Prej Urës së Ibrit e knej asht Serbi”. Na gjujshin me armë kur vishim e dy tri herë edhe janë plagu gjinja. Serbt s´na lejshin, kta t´jashmit neve s´na nimojshin, po t´kallxoj drejt e ner sy ju thom”, thotë z.Mehmeti, përderisa opinioni kujton ende këmbënguljen e bashkëfshatarit të tij, Ali Kadriut, i cili pas dëbimit të vazhdueshëm nga prona e tij edhe me armë zjarri, nuk iu nda rindërtimit të shtëpisë deri në përfundimin e saj.
Shtepite e Ali Kadriut

Deri para dy- tri vitesh nuk u bë ndonjë hap për rikthimin e shqiptarëve në veri. Megjithëse me hapa të ngadalshëm, procesi i rindërtimit dhe kthimi tashmë po vazhdon dhe komuna e mbështetur nga qeveria ka rindërtuar 100 shtëpi. Ndërtimet janë bërë në Lagjen e Boshnjakëve, në Kodrën e Minatorëve,  në Kroin e Vitakut dhe në Lagjen e Doktorëve, në të cilën pas dhjetë vjet qëndrimi e boshatisur janë kthyer gjashtë familje, thote Ahmet Jashari, zëdhënës i komunës së Mitrovicës:


“E tillë ka qënë edhe lagja Kroi i Vitakut. Madje në këtë lagje tensionet kanë qënë shumë të larta meqënse serbët që jetojnë në atë pjesë të qytetit i kanë rezistu kthimit të banorëve shqiptar në atë pjesë, edhepse ata kanë pas trojet e veta. Kjo ka shkaktuar një spaastrim etnik, një qëllim ky i strukturave paralele të Beogradit. Si rrjedhojë, në pjesën më të madhe shqiptarët janë të zhvendosur me dhunë nga ajo pjesë e qytetit”.

Zedhenesi, Ahmet Jashari
Edhe dhjetë mijë shqiptarë të zhvendosur nga veriu

Megjithëse për Mitrovicën, me procesin e regjistrimit në jug dhe me bojkotin e tij në veri, është vështirë të flitet me shifra, sipas komunës së Mitrovicës aktualisht në veri jetojnë 2,000 shqiptarë, përderisa të zhvendosur vazhdojnë të jenë mbi 10 mijë të tjerë. Të zhvendosurit shqiptarë jetojnë me qira apo nëpër katër strehimoret e qytetit. Përderisa dëshira për kthim mbetet gjithnjë aty.

“Ilustrimi më i mirë i këtij vullneti dhe këmbënguljeje është gatishmëria e tyre që nëse u jepet mundësia të jetojnë edhe në kontejnerë, meqë aty i kanë pronat, aty i kanë themelet e shtëpive dhe ata nuk ndjehen askund më mirë se aty. Ne kemi edhe shumë të zhvendosur nëpër strehimore kolektive në Mitrovicë, pjesa më e madhe prej të cilëve janë nga veriu”, thotë z.Jashari, i cili shton se asfaltimi i rrugës, projekti i ujësjellësit dhe kanalizimit, janë përpjekje të komunës për krijimin e kushteve te jetës për banorët e vet, pa dallim.
Z.Mehmeti serish zot ne shtepine e tij 

“Rindërtimi as kthimi nuk do t´ishte i mundur pa mbështetjen e qeverisë dhe për ne nuk ka pas dallim, se të cfarë përkatësie etnike janë të zhvendosurit. Megjithatë, strukturat paralele serbe e kanë bojkotuar cdo projekt, cdo ofertë dhe cdo lëvizje, me qëllimin e vetem politik: që veriu të mbetet i tensionuar, të krijohet një imazh se shteti i Kosovës nuk është funksional dhe se aj pjese e Kosovës është e Serbisë”.

Jeta në Kroin e Vitakut është gjallëruar serish

Valoni 20 vjecar, i cili sapo u kthy nga shkolla me biqikletën e tij, megjithëse është i kënaqur me investimet në këtë pjesë, do të dëshironte pak më shumë si ri: “Kisha dëshiru që infrastruktura të rregullohet edhe më shumë, të ndërtohen shtëpitë, të kthehen njerëzit në pronat e veta dhe të hapen më shumë vendpunime. Siguria nuk është e mjaftueshme, por ndërkohë nuk kemi probleme. Ka provokime të kohëpaskohshme e të llojllojshme nga serbët, me fjalë e ofendime në gjuhën e tyre, por thjesht ne nuk kemi ra n´provokime”.
Neper rruge lozin serish femijet


Dhe kshtu, jeta te Kroi i Vitakut po ringjallet përditë. Zërat e fëmijëve edhe në këtë vapë mesdite mbushin lagjen gjallëri. Përderisa, normalizimi i marrëdhënjeve ndëretnike në lagje në krahasim me të kaluarën tregon se populli gjithmonë gjen mënyra bashkëjetese përderisa politika qëndron larg tij.