Arkivi

Rapsodi legjendar Dervish Shaqa me bashkeudhetarin Demush Neziri

Rapsodi i shquar Dervish Shaqa
26 janar 2008, Radio Kosova, Ne nje kohë kur trojet shqiptare ishin te kercenuara ne vazhdimesi nga etja e popujve fqinj per grabitje, nw
fshatin Llukë e Epërme në verilindje të Deçanit, u lind rapsodi legjendar  Dervish Shaqa dhe bashkeudhetari i tij, Demush Neziri.Barra e kthesave të athershme historike i përcjell deri ne vdekje, por ata nuk do të pushojnë kurrë t’i këndojnë Kosovës dhe popullit të saj të shumëvuajtur.


Dervish Shaqa dhe Demush Neziri u lindën me 1910,  gjegjsisht, 1912, në familje me tradita bujarie, burrërie e bese.  Përveç këngës, ata i bashkoi fati i egër, sepse në dimrin e ashpër të vitit 1956, kur Sigurimi i Punëve të Brendshme i ish-Jugosllavisë me qëllim të shtypjes së vazhdueshme të popullit shqiptar ndërmerr aksionin famkeq për mbledhjen e armëve, kënga e tyre do të prehet në buzë. Dhe kështu, me 8 mars të vitit 1956-të, familjet e tyre do të ndahen në dysh, për të vazhduar të pergjysmuara përplasjen në kohërat e egra, ne te dyja anet e kufirit të hekurt shqiptaro-shqiptar. Prandaj, edhe vargjet që burojnë nga shpirti:„Kur ta kthyem moj Kosove shpinën/ e lamë borë- e gjetëm dimën...!“


Por, stuhive barbare të atyre viteve kur qindra fshatra u dogjën e u rrënuan dhe mijëra shqiptarë, u vranë e u masakruan nga forcat serbo-malazeze, nuk iu shpëtoi as Nezir Binaku, I ati I demush Nezirit, I cili pasi I shpëtoi pushkatimit, u zu serish, u masakrua dhe u ekzekutua në Prilep të Deçanit. Fati I Demush Nezirit përcaktohet këtu, sepse ai do të rritet me ndjenjën për hakmarrje ndaj atyre që e lanë jetim që në moshën 6 vjecare. Si rrjedhojë, përndjekjet, rrahjet e persekutimet do ta percjellin deri në arratisjen përfundimtare në Shqipëri.


Nana Dyke rrefen per arratisjen e rapsodeve


Rrefimin burimor për përplasjet e të dy rapsodëve, fillimisht, i gjejmë tek bashkëshortja e Demush Nezirit, Dykë Haklaj-Mulliqi, e cila kujtimet e mbetura në një botë tjetër, i ka ruajtur në gji të zemrës!


“Baben e tij e ka vra Miliç Kersta. Edhe ky tovona, kur o ba I zoti, e kish pas ba njefare hakmarrje për babë t´vet.! Kur o hy Shqipnija o kanë në detyrë, edhe kur o kone gjermoni ish kon do ditë në punë, „kosturrë“ a qysh u kane thane atyne? Edhe, ky e ka marre qat hak të babës së vet...Ka vra pasha Zotin! Atëherë tía shtrenë zullumin…Bum e bum e bum, tri vjet rresht! Po thom si evladit´, kur e shihsha qashtu n´zaval, me pas mujt me  e ba gur e kisha gjujtë vet pertej granice,sa fort u ngushtojsha! Ato rrehe, mue hallakatem. Gjinia s´guxojke me m´ardhë hiq prej hyqymetit,  se me I nxanë I rrehsin e I bajshin ibretin e Zotit! Tri vjet tuj u rreh në dorë milicie, voftë për Hatër të Zotit!"

Sipas rrëfimit të lokes, tri vjet përpara Demush Neziri u përjashtua, pa të drejtë pune, pa të drejtë kënge, as jete veçse peng I pushtetit të athershëm duke ju nënshtruar dhunës së përditshme e të përnatshme.


“Rrishim në një shpi t´keqe, pa mujtë me ja nis për t´gjallë se bash për gjeth natë vishin milicia, ja lidhshin duart, e shtishin në kerr, e çojshin e e rrehshin në stanicë të Deçanit, e qashtu t´rrehun, e gjujshin ne bistricë të Deçanit, përpjetë e teposhtë, nëpër ujë të bistricës…Si vallahi,kur vike kajherë, nuk  e ngjihsha si osht qaj burri  jem, qysh e bojshin! Këtu vishin, m´rrethojshin e hishin me hallakat…Cfarë t´hallakatnit, oj nonë, si ta merrke  mendja, kulm e temel po I bajnë bashkë! Djalin e vogël e kisha lulak, n´grykë, të madhin e majsha per dore, çika mu avitke ngat. Me të tretë në kambë, bojsha si thupra n´ujë, prej tutve të tyne! I nxirrshin teshat e shtratit e m’ I qitshin nëpër tokë. Hallakatshin e hallakatshin, e lëshojshin fyshekë në arka të teshave. “Për një dakik thojshin, ti gruja e banditit, me e gjet nënën e këtyne”. „Unë me e pas nonën e këtyne e maj per veti. Po nonen e ktyne e kini ju, e këta I qitt ju, vet!”-iu thojsha. Se, je bandit…”Je bandit e na t´gjalle ty s´kem me t´lonë!”-i thojshin Demushit. Pasha krtyet tat, e kanë rreh 24 sahat, e e kanë lidh për tavolinë me krye teposhtë, pamukun në gojë, e bakallin me ujë ja kanë derdh nëpër bira t´hundve. Tha,ju  thojsha: „Amon, për rize të Zotit! Qyre qysh ikini mashinkat vjerrun. Pse s´po m vrani me një harq?!“ Më thojshin,tha: „Domë me e ul duqin e pamukut në gjak të trupit tond e me e ´pa ti tuj e shtrydh n´pod!“ Atëherë, i ka dhanë kyvet, o rrëzu me gjithe tavolinë, e o ckurrue n´gjak. Si vallahi, kur m´ka ardhë, krejt krahun t´ngrimë n´gjak , flokët e hekne në onë të djathtë…Veç sahatin n´dorë ja kom ngjoftë, se nuk e kam ngjoftë si asht qai Demush Neziri, ap o don me t´kallxue? N´qaq deregje si e kishin pas que e çka kishin pas bo n´to! Qashtu rrike dy tri-ditë, e vishin e e  merrshin apet. Bum e bum,bum…Tri vjet t´zeza tuj u rreh n´dorë milicie, loke, voftë për rize të Zotit!...U lodh!...Kur e pau si po done vec me e mbyt, dul e shkoi….“.
Nana Dyke-Gruaja e Demush Nezirit

Tortura te vazhdueshme deri ne arratisje

Por,Demush Neziri nuk ishte vetëm në fatkeqësinë e tij. Aty ishin të gjithë shqiptarët të të cilët kishin një vizion më të qartë për jetën në Kosovë dhe të ardhmen që i prsite. Se, rrrësira e tunelit në të cilin gjëndej Kosova, po dendësohej përditë ishte iv etdishëm edhe rapsodi i pavdekshëm, Dervish Shaqa. Por këtë nuk duhej ta dinte. Përndryshe, duhej te burgosej, te internohej apo të vritej.

„Se, me 1976 ku ka pas intelektual shqiptar në Kosove dhe si ka dit dicka, klika e Rankoviçit e udhëhequr nga Tito-ja, kanë lajmëru si në Kosovë, njerëzit inteletktual me i zhduk- rrefen djali i Dervish Shaqes, Shpend Dervish Mucaj, te cilin të ati e la vetëm 7 vjeç. Disa kanë përfundu nëpër burgje, disa janë vra e të tjerë janë internu.  Dervish Shaqa ishte jo vetëm rapsod,  jo vetem qe ka qene jo vetem rapsod, por ai i ka parë më larg. Ka qënë me shërbim edhe në kohë të Zogut, me 1937  ka punu tri vjet si gardjan, në Tiranë, e apra kësaj ka qenë në perfekturën e atherhsme, në Prizren, në krye me Asllan Boletinin. Por, baba veç nji herë është lajmëru në polici në Deçan, veç një herë ju asht nënshtru torturave. Hera e dytë kanë qënë për vdekje. Mirëpo,. disa nga Lluka i kanë thanë të mos lajmërohet më, se kulaqi asht i përgatitun.“

Qarku përreth dy rapsodëve po ngushtohej, derisa një ditë gjenden para vendimit më të vështirë në jetë: arratisje o vdekje!


„E kujtoj, dimër ka qënë...Në atë shtëpinë e vjetër, në çiler,  u nxjejshim pranë stufës të cilën e kish shti baba-shpalos Shpendi kujtiemt e fëmijërisë-Një ditë, baba erdh prej Deçanit idhnueshëm dhe krejt i rraskapitun, u ul në shtrat. “Shka ki-i tha nana, se po m’duket dishka nuk je mirë?“. “Gati  si m’ u ka sos uji në Kosovë!-ia ktheu baba. Nuk asht puna mirë!“ Masandej ka nderhy b. Sylë:„Dervish, shka po t’thone?“. Baba i tha: “Sylë, nuk muj mo me nejt n’Kosovë se janë kah lypin shumë prej meje…Janë kah kërkojnë shumë e më duhet me dal dikah!“



Jeta ne Kosove pergjysmohet per te vazhduar matane kufirit


Ishte dimër i ashpër i vitit 1956, kur Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, bashkë me Adem Ramën dhe Isë Botushën,  qanë borën e Bjeshkëve të Nemuna. Jeta në Kosovë përfundon këtu, për të vazhduar matanë kufirit, në një rrugë tejet të gjatë e cila s´do t´´I kthejë kurrë më për të jetuar në gjirin e Llukës.


O kanë natë e ejte, tetë marsi…Bora deri në shokë!-rrëfen lokja Dykë. Ma ka pru Adem Rama, një këmishë të veten, në aksham vonë, e m´tha:“Kepma Dykë në maqinë qysh të mundesh ta marr me veti, se po du me shku edhe unë!“ „Qysh po do me shku edhe ti?”-i thashë, se m´bijke edhe si kunat. “Edhe unë s’ muj rri, se masi t´del Demushi-tha, mue me mysin krejt!” Ademin e kemi pas ma t’ parin kojshi, e i pat ba edhe ai nja tre muaj burg, n´Prishtine. Nejse! E mora atë këmishë, do ja kepa-do s’ ja kepa, e ja dhashë me veti. Mas kësi vakti o konë…Djalin e nëntë mujve e kisha n´djep, tjetrin për skej e qikën. Osht hy Demushi me një ranac n´dore e m´ka thanë: ”Oj Dyke Bajramja?!...Unë, o me dekë o me ik…Njanën m´duhet me e ba!...Zoti ta baftë qaren me qeta tre thmi!” Thashë:”Hajli kofte! Inshallah del ti…Për mu mos ki dert!” Pse me t´rrejt? U ngushtova si veç qashtu! Kur u ba gati 
Demushi me dalë, erdh Dervishi n´shpi teme, edhe Ademi, edhe Isë Botusha. Ja kam dhanë dorën në dorë e nëpër borë, qetu e deri te dyert e atyne koijshive jemi shkue pa ja lëshue njoni-shoqit dorën hiç. Kur jam dalë në oborr të tyne, o dalë Ademi prej shpise vet. ”Aman, për rize të Zotit, mos shko!”-e përbeu gruaja e vet.  Ai e lëshoi çantën në tokë. Demushi I ka thanë: „Adem, mos hajde për mue! Masi po vjen Isë Botusha, une s’jam lazëm për kurrkend. Isa I din tetana rrugët”. 
Pasha kete ndeje si po e bajmë bashkë, Demushi i ka thanë edhe Dervishit: „Dervish, për mu mos gabo me ardhë. Kur të dal unë nashta të guzhmitin edhe ty si mue. Por, mati punët tua e ban qysh të dush!” Isë Botusha e ka pas djalin n´Shipni. Ai tha: “Unë s´kam veç qat djalë. E kam njet me shku te djali jem edhe po me ardhe me ty. Janë ba bashkë, e janë dalë!” 


Dasma e fundit e rapsodeve ne Kosove


Atë natë në fshatin Llukë, kishte dasëm. Dervish Shaqa po këndonte për herë të fundit mes dasmorësh, para se të braktiste Kosovën përgjithmonë.

„Dervish Shaqa kurre s’ ka mbajt sharki as çifteli, por në çdo fshat i ka gjet ato-rrëfen Shpendi, duke sjellur kujtimet ia përcollen të afërmit e tij, për naten e arratisjes se t´atit. Para se të shkontë në dasëm, qenka përshëndet me hallën Rukë. Ka qënë baqicë dhe baba e kish pas deshtë shumë. Tuj e ditë se po del mos me u kthy ma, i kish pas thane:”Halla Ruke, lamtumirë se unë po shkoj!“-edhe tuj zbrit shkallëve, I kishin pas shkue lotët. “Uh, Dervish nanë, ti në darsëm je kah shkon e po kan kështu…Cka ke?!“-e kish pa pyet halla Rukë. Por, krejt Lluka e kishin pas ditë se ajo asht nata e fundit e kangës së tij… Ish kanë përshendet me të gjithë darsmorët Pas mesnate, o shku te akçite e iu ka thanë:“Mbushmani këtë sahan mish  se du me ja çu Shpendit“! Asht ardhë eme ma pru  në atë çilerin me  stufë, qysh e ka pas shti baba. Por, unë tek jam konë në gjume. Ia ka lanë nanës e i ka thanë:“Zojë, qyre qeta mish po ta lo ktu e jepja Shpendit kur të çohet“ M´kish pas marrë për qafe dy herë dhe i kish pas thanë nanës:“Lamtumirë!“ Por, veç b.Sylë i paska pas tregue ku po shkon:“Baca Sylë, Amanet i ke fëmijët se ma nuk shihemi bashkë!“


Nënëlokja Dykë, e cila edhe me 80-të vjetët e saj ruan kthjelltësinë, shpalos kujtimet me forcën e nënës kosovare.


 „Kur u dava me demush Nezirin m´u duk as dilli s´po bo dritë! Mue m´u dasht loke me dek për s´gjalli! Kunat, as kunatë, as vjehrri as korkon n´shpi, s´kisha. Gjinia s´guxojshin me ardhë prej hyqymetit. E paqa n´qafë këtë katund, qekaq t´keqen kujt s´ia di! Po, edhe unë I mshela dy sytë e veshët, e e kqyra detyrën teme. E hoqa veshën,  e hoqa sefanë e tetana! Tri vjet nona jote i ka hek veç apongat e o hi ner jorgan, se isha e rrethume ton natën prej milicisë. Me vetshin thmija: “Nonë, pse nuk po deshesh?” S´u kallxojsha se thojsha tuten e m´u dahet rrita, veç thojsha:”Po lejnë qentë e të qilloj e veshne me dalë përjashta!” Se, si isha e rrethueme në t´katër onë, ec e kallxou thmive sa grima?!“


Nje kobure per nder e per shpirt


Rrethimi vazhdoi për dy vjet me radhë. E nënlokja vetëm me fëmijë dhe koburen që ia kish lanë I shoqi për nder; për shpirt!


Rapsodi Demush Neziri
“M´tha:”Po ta la për shpirt!”-rrëfen lokja. Kur vishin me m´hallakat, herë ja shtisha këtij të voglit në mnela, here ketij tejtrit në shpinë, kajherë e shtisha n´komza t´mia. Edhe, kurrë s´kanë mujte me ma gjet! Mas s´di sa vjete, bani dasëm vëllai I jem e mu tek djali i madh, me ia dhanë me qit kur t´vjen nusja. U çova e ia dhashë. Dikush lajmëroi edhe m´rrethuen milicia. "A re ki?“,“Po!“,“Pse e ke majt?“,“E kam mbajtë për ftyre teme!“, „Ku e ke marr?“, „Ma ka lanë burri!“. Edhe u desht me e dorzu!“


Shpendi, atëbotë shtatë vjecar, kuptoi të vërteten vetëm kur nuk e pa babain më në shtëpi. Ndërsa, Aliu gjashtë muajsh, s´do të përjetonte kurrë ledhatimin e tij si fëmijë, sepse, Dervish Shaqa do të ikte për të mos u kthyer kurrë më në gjirin e familjes.


„E disha si dikujt duhet me I thirr „Babë“, e nuk kisha kujt…Por, pas dy tri vjetësh, në një aksham dimri,  kërset dera, bam-bam-bam, me të madhe, por jo me thirr. O dale b.Sylë, veç kur o kthy n´çiler me furrum, e m´tha:”Carrok, hajde me mu!” Nona I tha: “Baca Sylë, çka ke tash?!”-se u tutke mos po me merr me m´qit n´Shipni, te baba. “Hajde se se Dervishi o kah knon n´Kukës e na thirri Ramë Haxhia(veç ai kish radio atëherë!), e t´vjen edhe Shpendi ta nigon!”-I tha b.Sylë. Alia ish I vogël. Nana s´erdh.  M´ka mar për dore baca Sylë, e zbathun vrap nëpër katund, teposhtë te blini. Kur jem shku e e ka qel derën, e kemi dëgjue…Këndojke kangën e Bajram Currit, çfarë të kënduari. Baca Sylë I ka vnue duart në krye e lotët rrokotel! Unë mbeta syhapur, se ai veç rrugës si m´tha si po knon baba yt. Por, aty unë e dita se megjithatë paskam babë. Masanej, m´ka mungu shum!

Takimi i pare i rapsodit te shquar me te birin


Ky ishte rasti i parë që Shpendi u njoh me këngën e të atit. Raste të tjera do të vinë kohë pas kohe, krejt rastësisht.


„Një herë, isha me dhën në bjeshkë. E kam pas një radio të vogël edhe shiriti i saj rrinte veç në Kukës. Si e kam lëshue, kur doli baba tuj e këndue kangën e Skënderbeut: „Lum e lum Vojsavë krenare, lum e lum nana shqiptare!“ Ia kam ç zonin sa ka pas. Ushtojke bjeshka…“.


Kënga e dy rapsodëve, jehona e së cilës u muros në kullat prej guri, ku mblidheshin burrat më me zë të trojeve shqiptare,  tashmë ishte ringjallur në gjirin e shtetit amë dhe zëri i dy rapsodëve, po i rikthehej Kosovës plot përmallim.


„Kur delshin në televizor m´bojshin zo kojshia:“Hajde se po don me dalë Demushi e Dervishi n´telrvizor. Shkojsha prej këtuhit e n´kojshi me i pa. Vallahi s´dojshe tjetër veç me i pa, të dy bashkë tuj këndu, të dy bashke tuj kërcye, të dy bashke tuj nejtë…Si vallahi, kurrë dita as nata si ka da!“


Lokja po i rriste fëmijët e saj me nder. Baca Sylë, e çoi Amanetin në vend, duke u përkujdesur si prind për Shpendin dhe Aliun e vogël!


„Sylë Shaqa ka qënë një vëlla hakikat për Dervish Shaqën. Dhe të gjithë e dimë se Sylë Shaqa ka vdek prej torturave të policisë, se masi dul baba n´Shipni e  policia e maltretuan shumë. Si mas gjashtë shtatë vjete kur ka vdek, b.Sylë, krejt kah i kanë ra ju nxi trupi dhe krejt e kanë ditë si ky njeri ka vdek prej torturave. Veç atëbotë, asnjëri s´ka mundur ta dijë se baba pas pesë vjetesh o taku me Syle Shaqën, piëkrsht në këtë vend. Se, atëherë prej Shqipnije vihin diversantat e sillshin flamuj, se këtu s´ka pas. E baba o taku me b. Sylë në kohën kur piqen manat, se ka kësajde shumë. Baca Sylë ka dalë kishe po mbledh mana e asht taku me babën, nëpër këto megja…”.


Fshehurazi ne LLuke por asnjehere ne gjirin e familjes


Nëpër rrugë, fusha e megja, por kurrë më në gjirin e fshatit. Kurrë më as në familjen e tij, nusen e re e fëmijët që po rriteshin larg tij.  Është vetëm njhë herë kur Dervish Shaqa takon të birin,teksa po ruante bagëtinë në fushë.


“Mue m´ka pa një herë n´Orrnica, e quajmë ne. Jam kanë 13-14 vjeç, kur tuj rujtë loptë ja kam nis me knue kangën e Bajram Currit. E kam pas ni prej babe, jo veç unë po krejt Lluka e Epër. Baba paska qënë i paluem në një vije të arës me dy shokë t´vet, bash sikur lepujt-m´tregojke baba. Mue, si sot m´kujtohet ai farë zani si m´ka thanë: „Cka po ha m. bre? Hajt le se boll knove!“ Bash qeshtu qe. Kqyr knej-kqyr anej, nuk e shihsha kurrkënd.Ai ish kone Dervish Shaqa, atehre jam kone diku kah 13 vjet 14“.


Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, të vendosur në rrethin e Durrësit, vazhdojnë traditën e te  kënduarit për Kosovën, gjirin e së cilës e kishin braktisur pa dashur. Në Rashbull, Dervish Shaqa themelon dhe   udhëheq grupin rapsodik, me të cilin për herë të parë prezantohet në festivalin folklorik të Shqiperisë,  në Gjirokastër, me 1968. Ata ërijuan dhe publikuan shumë këngë, te cilat edhe sot e kësaj dite dëgjohen me shumë dashuri nga auditori i gjërë shqiptar. Rapsodët para arratisjes njiheshin me tepër me këngët me motive dashurie, si: “N’dërrase të vekut kush po kanë“, “Moj e mira n’derë  të stanit“, etj. Ndërkohë që pas arratisjes, ata iu përkushtohen këngëve me motive patriotike, siç janë këngët: „Kurrë Kosovë s’tu da gazepi, „C’janë kto gjamë qe po i sjell era“, “Pyet Kosova për një qikë“, “Ah, Kosovë mos thuej marova“,”Tane Kosova mbulue me tym”,etj.                                                                                              
Jetimw me prinder gjalle

Por, kënga nuk lehtëson barrën e viteve që vinë e ikin të stërngarkuara me dhëmbje, për familjet e shpërndara. Fëmijët jetimë me etër gjallë, janë e vetmja rreze drite, për të dy gratë fatprera.


„Apet e shtysha do mot me ymyd se bahet mirë e kthehet, se i riu qashtu po u habitke! I merrsha dy djemtë e i nojsha në prehër, njonin këndej e tjetrin këndej e ua bajsha shuplakat bashkë e ju thojsha:“Hej, kur t´bahen kto katër duar bashkë, ka me u knaq nona e juve çka keni me punu ju!“ Ua bajsha verë me mend, veç me i gzue ata. Kur u banë me shku n´shkollë, nuk m´I lanë, as qiken as dy djemtë, se atëherë jepshin msim shkijet. Ma kapke djalin për zylyf e m´I thojke: ”N´msofshi e n´u tranofsh, s´ke me dal n´detyrë as s´ki me pas të drejtë, se je djali I banditit!” Ma leshuen djemte shkollën, se s´paten cka me bo. Dulen, o, pa e maru rriten…-rrëfen lokja, me zërin që i mbetet në grykë. Hajt hajt, hajt hajt…Shkuan ato vjet qashtu, e erdh puna deri qetu!“


Shpend Dervish Shaqa, I lënë shtatë vjeç dhe Gani Demush Neziri, I lënë vec 3 vjec, tashmë ishin rritur dhe në njërën ndër ditët e kësaj zije të shumëmotshme, në kullat e Llukës do të jehonte kënga, daullja e lodra edhe për martesën e tyre.


“Unë, kur jam shkue mas s´pari si kam nejtë qat muj ditë, n´krye të tri javëve, kam pas me e martue djalin e madh. Pasha një Zot, krejt fillim e marim, Demushi e Dervishi, kane inçuzu trakat të dy tuj knu bashkë e m´I kane dhanë me veti, me I lshue kur të vinë krushqit. Dervishi iu ka thanë në trakë: “Merrni vesh! Tuj u martu djali i Demush Nezirit, si e ka lanë baba tri vjeç. Unë e Demushi s´kem marr pare kur jemi shku me knu nëpër hallk kurrë, se s´jemi konë defatore po jemi konë kongatarë. E mos gaboni me marr pare në dasëm të djalit të Demush Nezirit”. Vallahi mori loke, so met kush pa kajtë!”


„Vaden e dasmës e damë pesë javë ditë, me shpresë se do t´vie baba-rrëfen Shpendi. Ishte viti 73,  hera e parë si fola me babën në telefon. „Babë, me 20 janar martohem. A po vjen n´dasem?´“ Mua s´më tha gjë, por kusheririt tonë, Mic Sokolit, atëherë i tha:” Mos je ba matuf?” Këtu u mor vesh se ai s´mund t´vinte. Prandaj, qato ditë, menjëherë ia kemi nis motrën te baba na vizitë, për mos me u merzit baba atje për dasëm. Atë dasëm po m´duket edhe në Radio Kukës e ka lajmëru baba. Kemi edhe kangë që janë inçizu bash për dasëm, ku thote se:”Po i përshëndes të gjithë ata krushq e ata dasmorë me këngën e Marash Palit!” Këtu ish mbush oda grumbull e  me majë, disa kajshin…”.


Shpendi i vogel troket ne porten e te atit i bere burre

Shpendi trashëgoi nga i ati Dervish Shaqa, dashurinë për këngën folklorike. Këngët e tij u mundua t´I mbajë gjallë edhe në mërgim, ku klubet e vetformuara ishin pika e vetme ku mund të takoheshin bashkëatdhetarët tanë. Njëri ndër klubet, të vetmet ku ndjhejsadopak ngrohtësi Kosove, ishte edhe klubi Përparimi në Cyrrih. Por,  nëpër kokën e Shpendit pandalur sillej një mëndim I vetëm!



“Gjithë kohën mendojsha si me u taku me babën. Dhe një ditë, tek po ecja nëpër Cyrrih, fillova të mendoj si t´ia bëj që këso vere me u la në Durrës me babën. Fluk, hina n´ambasadëe! “Qysh e ki emnin?”, “Shpend Dervishi-Mucaj”. “Auuu, po  ti tha je djali i rapsodit Dervish Shaqa. Ti je Shpendi?!”.


Dervish Shaqa me te birin e madh, Aliun
Dhe, deshira e fjetur qe nga femijerija, per pak kohe do te permbushej. Keshtu, ne vitin 1979, Shpendi I vogel, do te trokiste ne deren e te atit, i bere burre e baba. “O ku je Dervish Shaqa, bre?”-kam thirr te dera. „O, hajde bujrum, more!“-mu pergjigj. Baba ish ul kembekryq, me sharki e qifteli ne preher. Perze, nuk  e ka  lujt as komen me u qu me m´marr ngryk.Osa Nura, nje kusheri joni tonin, emigrant poashtu, o cue e m´ka marre n´gryke. Ai hic! Jom perkul e e kam marre per qafe. „A di shka? Hajt shko rruju!“-m´tha. „A je n´mend b.Dervish?”-I tha Osa. „Le te shkon-tha-te rruhet, se ma con mallin si atehere kur e kom perqafe si femije, ne gjume. S´ma ka pas regj faqen hic...E tash tek asht rrit e tek osht ba me lesh!”


Kënga për takimin e serishëm pas 18 vjetësh, vazhdoi deri në mëngjes, thotë Shpendi. Por, pritja e lokes ishte edhe më e gjatë…


Takimi i lokes me bashkeshortin pas 20 vjetesh

„Pasha nji zot, unë mas 20 vjete si o dalë Demushi, unë jam shku n´Shipni. Ma coi garacionin prej atjehit e m´tha: „As s ´kam nanë, as baba, as vëlla, as motër e n´koftë se t´pik rahmeti me ardhë…Po du me ta qit nji përvojë t´vshtirë, se nuk asht lehtë për ty me ardhë e me m´gjet vet të shtatin, e me gru n´shpi!“ Perze, e bana zemrën gur e u cova e shkova me qikë të qikës si ma la tetë vjec. Nuk  ish kollaj, loke për mue me shku mas 20 vjete… Ai i kish tre djem e dy qika, e gruen! Vec, vllaznit e saj, ilaket e saj m´deshtën fort. U qudit bash krejt Shipnia si shkova unë te burri I martuem mas 20 vjete!”



Dueti Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, mbeten ne historinë e folklorit shqiptarë si ushqim i shpirtit të shqiptareve që duan kombin, gjuhën dhe këngën e vet.  Ishte kënga ajo që i bashkoi e do t´jetë vec vdekja, ajo që do t´i ndajw.  


Me 14 prill të vitit 1985, emblema e muzikës folklorike shqipe, Dervish Shaqë Mucaj, i lindur me 14 maj të vitit 1910,  në Llukë të Epërme, vdiq në Rashbull të Shqipërisë.


Rapsodi qau per Kosoven edhe ne castin e vdekjes

“Dervish Shaqa o dek n´gjoks të Demush Nezirit. Si, be ka ba Demushi: “Cka s´ka ba vaki, edhe për s´vdekuni I shkojshin lotët rrokotel!”-rëfen lokja.



„Atë ditë kam qënë në klubin “Përparimi”, në Cyrrih. Telegramin e merr një shok imi dhe kur lexon: “Shpend, ka vdek Dervish Shaqa!“, e merr e fluturim vjen në klub, edhepse kurrë ai njeri nuk vinte në klub as nuk dilte në demonstrate, se atëherë për një tubim apo demontratë në shtete të perëndimit, e humbshme pasaportin. Unë kam qënë tuj këndue. Bash asi hovi baba ma kish cue nji sharki prej Shipnije. Si e kam pa t´ulun n´karrika t´para, thashë: “Ah bre, si Tefiku m´paska sjell një lajm të dhimbshëm!” Por, kur e pyeta, ma ktheu: „Ku e din ti si kom pru dishka unë?“ „E di-i thashe, se ti nuk vjen ktu me m´nigu mue!“ M´shkoji mendja edhe te nana, se edhe ajo ish plakë. Por, kur m´tha se asht prej Shqipnije, e dita…!“


 Bashkëudhëtari I tij, Demush Nezir Mulliqi, I lindur me  1912, në Llukë të Eepërme, vdiq me 7 gusht te vitit 2001, në Shinavlash të Shqipërisë.


„ Na erdh telegrami si o vdek Demush Neziri-rrëfen lokja. Shkoi djali i madh prej Zvicre ne Shqipni, me shokë e me dajë e me nipa. Masanej, ja qelem tri ditë t´pame n´qet bahqen e madhe të shtrueme me tepiha. Kush o konë si asht ardhë me pa. E mue po m´thote qika: “Oj nonë! Tetana kto gra sip o vinë me t´pa, pse kurrnji pikë lotë se qite për babën?” “Vallahi moj nonë-I thashë, jom lodh tuj kajtë për to! Një herë kaj si m´dul prej shpi e m´mshelli nusen e re me tri fmi t´vogjel. Masanej merzitu edhe ma fort kur u martu. Tash o deke si tone dynjaja e rahmet i paste shpirti, se për qeto të tretën kokna ma sabernike se kur o martu!” Vec, edhe gjininë I pata të fortë e banë shumë për mue. Po, edhe pata igball si m´i la dy djem e qiken sa mos me m´lanë n´rrugë, si vallahi me m´pa lanë ve me qat qikë, për dynja burrë tjetër mas Demush Nezirit marre s´kisha, qetu po t´kallzoj!”  


Rapsodi legjendar i kthehet Decanit e Kosoves ne nje forme te re


Kosova e robëruar dhe e larë me gjakun popullit  të saj, tashmë po rikthen dritën. Nëpër rrezet e kësaj drite, rapsodët legjendar I rikthehen Kosovës, Decanit, përmes festivalit gjithëkombtar, „Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen“, kushtuar rapsodit legjendar, Dervish Shaqa dhe të gjithë rapsodëve të tjerë.


“Sivjet, për festival osht ardhë djali prej Zvicre, postofat me e pa. Shkuan bashkë me qikë. Ditën e parë e kishin pas përmend edhe Demushin, kah kanë knue, të dytën herë-hic! Demushin e Dervishin, dita e nata s´i ka da. Vallahi, kanë dhanë shfaqje në Prishtinë, në Shkup, kanë këndu nëpër dasma e kurrë s´janë da prej shoqi shojit. Ka bo lazem, janë ardhë prej dasmave të dy e m´kanë qu mu prej cilerit e janë ra të dy në një shtrat e unë jam dalë e jam ra në tjetër sobë. Janë deshtë ner veti, si  ´sban vaki në dynje, pa I da kurgjo. E qata po cuditna unë, si kaq fort jarani patën ner veti e fort ke shyhret me I pa dikush në televizor të dy bashkë,e mu da ner veti, zor… Gjithmonë kan knu bashkë, gjithmonë kanë nejtë bashkë, kurrë s´janë prish ner veti. S´I dau Rankovici, si ke zavali ma I madh, s´i dau Enver Hoxha as kurrfarë mileti, e me I da tash per s´dekni…Pse ashtu?! Gjynah asht ashtu!"                                                                                                                            


“Por, populli është vëzhguesi më i mirë!”-thotë i biri i Dervsh Shaqës, Shpendi.“Unë mendoj se kur përmendet Dervish Shaqa, popullit të Dukagjinit vetvetiu i shkon mendja edhe te Demush Neziri. Ktu nuk ka kurrfarë ngatërrese. Se Demush Neziri ka qenë krah I Dervish Shaqës, e dinë krejt ky popull!“


Të dy rapsodët kosovarë, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, të cilët shkruan histori në tel të qiftelise, shkuan motin me kokë të kthyer kah kufiri shqiptaro-shqiptar, matanë të cilit kishin lënë gjysmën e vetvetes...Malli për Kosovën i ndoqi deri në frymën e fundit, sepse u desh më shumë se gjysmë shekulli rrugëtim I kombit shqiptar nga të dyja anët e kufirit, që muri që ndante zemrën të shembej përfundimisht.